Skuadrat kryeqytetase duan fitoren, barazimi nuk vlen aspak

Derbi i radhës mes Tiranës dhe Partizanit është udhëkryq për të dyja skuadrat. Kjo për faktin se nga rezultati varet shumë ecuria në kampionat. Tirana vjen me moral të lartë pas 3 fitoreve radhazi dhe një sukses tjetër do ta fuste plotësisht në shinat e pretendimeve, të paktën për një vend në Europë, pasi bardheblutë do t’i afroheshin me 1 pikë rivalit të përjetshëm, Partizanit.

Të besuarit e Orges Shehit janë eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë dhe e vetmja mënyrë për të marrë pjesë në Kupat e Evropës është kampionati.

Në kahun tjetër, edhe Partizani do patjetër maksimumin. Tre ndeshje pa fitore për të kuqtë kanë vënë në dyshim pretendimet reale për titullin kampion. Për të mirë të Partizanit, edhe rivalët kanë gabuar dhe diferenca me kreun është vetëm tre pikë. Prandaj një fitore në derbi, Partizanin e mban në zonën e pretendimeve maksimale, ndërkohë që heq qafe rivalen Tirana.

Barazimi vlen shumë pak kësaj here, ndoshta më shumë për Partizanin, që lë poshtë vetes Tiranës me të njëjtën diferencë pikësh. Kampionatin e vitit të kaluar Tirana e fitoi pikërisht duke nisur nga derbi.

Do të ndodhë sërish, apo do të jetë radha e Partizanit kësaj here? Një përgjigje që do ta marrim në të shtunën në orën 13:00 kur luhet derbi i kryeqytetit.

Klan News