60-vjeçari shqiptar në Greqi që i fiku respiratorin pacientit me Covid duke i shkaktuar vdekjen, është dërguar në burgun e Koridhalos.

Mediat greke raportojnë se Spiro M. do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve. Ai u dërgua prapa hekurave pasi doli nga spitali, ku edhe vetë kurohej pasi ka qenë i infektuar me koronavirusin Covid-19.

Ngjarja ndodhi pak javë më parë në një spital të Athinës. 60-vjeçari Spiro M. ishte i shtruar në të njëjtën dhomë me një pacient tjetër 76-vjeçar, i cili ishte gjithashtu i infektuar me Covid.

Por për shkak se nuk duronte dot zhurmën, shqiptari i fiku respiratorin 76-vjeçarit duke shkaktuar vdekjen e këtij të fundit. Spiro M. i qëndroi sërish variantit të tij të parë lidhur me ngjarjen, duke u thënë hetuesve se ka qenë në gjumë dhe nuk kishte kuptuar çfarë kishte ndodhur.

Megjithatë, nuk mundi të jepte asnjë shpjegim se si ka mundësi që gjurma e gishtit të tij ka rezultuar në aparaturën e respiratorit të pacientit 76-vjeçar. Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë ende. /tvklan.al