“Deri në 2030, do të ndalohen makinat me naftë dhe benzinë”



“Deri në 2030, do të ndalohen makinat me naftë dhe benzinë”

23:04 18/11/2020

Deri në vitin 2030, Britania do të ndalojë shitjen e makinave të reja me benzinë ​​dhe naftë.

Ishte Kryeministri Boris Johnson që bëri premtimin, si pjesë e planeve për një “revolucion të gjelbër industrial” me anë të së cilit, pretendohet të krijohen deri në 250,000 vende pune në energji, transport dhe teknologji.

Qeveria e vendit tha se shitjet e makinave dhe furgonëve të rinj me benzinë ​​dhe naftë do të përfundojnë në 2030. Plani i Johnson është më ambicioz sesa ai i njoftuar nga guvernatori i Kalifornisë në Shtator, i cili do të shohë ndalimin e automjeteve me gaz deri në vitin 2035.

Ndërkohë, prodhuesit e automjeteve kanë shprehur shqetësim në lidhje me këto plane, duke thënë se qëllimi i mëparshëm ishte viti 2040, kurse tani është shumë shpejtë.

Planet e gjelbra të qeverisë britanike, përfshijnë gjithashtu investime në energjinë e hidrogjenit dhe teknologjinë e kapjes së karbonit, si dhe ambicie për të gjeneruar energji të mjaftueshme të erës për të furnizuar çdo shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 2030.

Në plane përfshihet edhe ndërtimi i një brezi të ri të termocentraleve bërthamore.

Shtytja mjedisore është pjesë e përpjekjeve të Johnson për të lëvizur përtej pandemisë së koronavirusit dhe daljes përçarëse të Britanisë nga Bashkimi Evropian, si dhe për të sjellë punë të reja në ish-rajonet industriale të Anglisë qendrore dhe veriore.

Britania e Madhe pritet të mbajë konferencën globale të klimës COP26 vitin e ardhshëm, pas një vonese 12-mujore për shkak të pandemisë së koronavirusit./tvklan.al




Të ngjashme