Mjekët bonus 1 mijë Euro deri në përfundim të pandemisë

Brenda vitit 2022 Shqipëria synon të marrë 5 milionë doza vaksinë. Sipas  projektvendimit të Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë të “Programit të reformave ekonomike 2022-2024”, thuhet se deri në pranverën e këtij viti, qeveria do të sigurojë rreth 5 milionë doza të vaksinave në mbrojtje të Covid-19.

Në projekt-vendimin e Ministrisë së Ekonomisë që është nxjerrë për konsultim publik, shkruhet se deri tani është arritur së sigurohen 3 milionë doza vaksinash dhe deri në fund të Pranverës përmes mekanizmit COVAX dhe kontraktimit të drejtpërdrejtë me prodhuesit dhe shpërndarësit e autorizuar do të garantohen edhe dy milionë doza të tjera.

Të gjithë vaksinat e siguruara do të përdoren për të vijuar me aplikimin e dozës së tretë dhe dozat e para dhe të dyta edhe për fëmijët nën 18 vjeç sipas rekomandimeve të OBSH.

Po ashtu edhe mjekët dhe stafet mbështetëse do të vijojnë të marrin bonusin e pagës deri në fund të pandemisë. Nga Marsi i vitit të kaluar e deri më tani rreth 4000 mjekë kanë përfituar 1000 Euro bonus dhe mbi 1200 staf ndihmës kanë përfituar 500 Euro bonus mbi pagën.

Po ashtu deri në fund të pandemisë, do të vijojnë të rimbursohen ilaçet e Covid për formën e lehtë dhe të mesme të sëmundjes.

Në kulmin e valës së Omicron, por edhe atij Delta të vitit të kaluar, në 11  spitale rajonale në vend kanë përgatitur pavionët e sëmundjeve infektive për të qenë gati për çdo rast të rritjes së numrit të të hospitalizuarve.

Sipas ekspertëve, ashtu si vendet e Europës, edhe Shqipëria pritet që të arrijë pikun e infektimeve me Covid në fund të Janarit.

Tv Klan