Kastriot Dermaku ishte një nga surprizat në listën e Christian Panuccit për dy takimet e radhës të kombëtares me Jordaninë dhe Izraelin.

Mbrojtësi i cili aktivizohet me Cosenzan në Serie B në shtator ishte grumbulluar me Kosovën, por u la në stol nga tekniku Shaland në sfidën me Azerbajaxhanin. Ky moment duket se solli edhe krisjen e 26 vjeçarit me Federatën e Kosovës, ndonëse këta të fundit shprehen të befasuar me zgjedhjen e Dermakut.

 “Detyrimisht duhet ta respektojmë pavarësisht mënyrës se si është marrë një vendim i tillë. Është pak befasuese të them të drejtën, pasi deri ditën e djeshme kur është publikuar lista zyrtare e Shqipërisë ne kemi qenë në bisedime me Kastriotin dhe ai ka qenë disi i pavendosur, nëse do të bashkohej ose jo në Tetor me ne, por pa e përmendur fare opsionin për Shqipërinë. Kurse dje pak kohë para se të publikohej lista e Shqipërisë, Kastrioti më ka dërguar një mesazh ku më ka shpjeguar që i vjen keq, por ka marrë një vendim ndryshe”, tha Bajram Shala, Menaxher i përfaqësues së Kosovës.

Shala konfirmon se pakënaqësitë e Dermakut kanë lindur menjëherë pas ndeshjes me Azerbajxhanin.

“Duhet përmendur edhe fakti që gjatë muajit të kaluar kur Kastrioti ishte me ne për disa ditë absolutisht nuk ka ndodhur as edhe gjëja më e vogël ndërmjet tij dhe stafit tonë, apo lojtarëve që mund të ketë ndikuar në marrjen e këtij vendimi, por thjeshtë ai ka thënë që nuk po ndihet pjesë e grupit.”

Grumbullimi i kombëtares do të nisë të hënën. Kuqezinjtë  do të luajmë më 10 Tetor miqësoren me Jordaninë në Elbasan, ndërsa 4 ditë më vonë në përballjen e Ligës së Kombeve me Izraelin në Ber Sheva.

Tv Klan