Policia ka shpallur në kërkim djalin e vetëm të Vjollca dhe Agim Arapit. 32-vjeçari Dervis Arapi prej 2017, kohë në të cilën babai i tij Agim Arapi mbeti i vrarë, jeton në Itali. Hetuesit kërkojnë dëshminë e tij pas dyshimeve se ai mund të ketë dijeni për ekzekutimin mafioz të Jurgen Kurtit.

Familjarët e Agim Arapit kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen. Bashkëshortja e të ndjerit, Vjollca Arapi, në një prononcim për mediat është shprehur se i biri jeton në Itali, duke rrëzuar pretendimin e policisë.

Hetuesit kanë dyshime se vrasja e Jurgen Kurtit mbrëmjen e 18 Marsit, mund të jetë kryer nga persona të paguar. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimet për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa nuk ka ende një emer.

Dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar i kanë bërë pritë pranë banesës së tij 26-vjeçarit dhe e kanë qëlluar me breshëri nga një makinë ngjyrë gri duke i shkaktuar vdekjen. Pamjet e kamerave të sekuestruara nuk kanë ndihmuar hetuesit për të zbardhur dinamikën e vrasjes.

Një nga pistat ku janë përqëndruar hetimet është ajo e vrasjes për shkak të hakmarrjes, nisur edhe nga e kaluara e viktimës. Në vitin 2016 Jurgen Kurti u arrestua si i përfshirë në vrasjen e babait, por më pas u lirua pasi krimin e mori përsipër daja i tij.

Një vit më vonë, në Prill të 2017-ës Kurti u përfshi në një ngjarje tjetër të rëndë, këtë herë në qytetin e Durrësit. Konflikti nisi për mosdhënien e pagesës së qirasë ndaj 58-vjeçarit Agim Arapi që përfundoi me vdekjen e këtij të fundit. Edhe për këtë rast ai u hetua si i përfshirë, por më pas u dënua vetëm vjehrri i tij për “Vrasje nga pakujdesia”.

Tv Klan