Mbikqyrësi i punimeve në inceneratorin e Fierit, Arben Dervishaj, ka paraqitur konkluzionet e mbrojtjes së tij gjatë seancës së ditës së sotme në gjykatë.

Në paraqitjen e konkluzioneve mbrojtëse, Dervishaj pretendon se nuk është ai mbikëqyrës i punimeve në inceneratorin e Fierit, por sipas tij është kompania “Ave Consulting”.

Në seancën që po ndiqet nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Dervishaj pretendon se nuk është ai që ka shkelur ligjin teksa ka akuzuar prokurorin se ka shpërdoruar detyrën.

Dervishaj ka kërkuar lirinë teksa ka ngritur pretendimin se po mbahet në qeli pa akuzë.

Arben Dervishaj:  Prisnim që në konkluzionet e SPAK të kishte dokumente me fakte penale. Por prokurori u kthye te akuzat e vjetra. Pretendon se jam subjekt i posaçëm, që jam subjekt me funksione publike. Gjyqtarja paraprake e përcaktoi qartë që nuk jam. Nuk jam unë mbikqyrës i punimeve por kompania “Ave Consulting”. Me qëllim prokurori nuk shikon VKM-në që normon një kompetencë të tillë për përzgjedhjen e mbikqyrësit. Nuk kam qenë as nuk kam kërkuar ndonjëherë të jem subjekt i posaçëm. Prokurori përveç se prej 8 muajsh më ka hequr lirinë, nuk ka marrë parasysh gjendjen time shëndetësore dhe kërkesat për masën, ka ndryshuar 3 herë akuzat ndaj meje. Veprimet e prokurorit “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”. Nuk jam unë sot ai që ka shkelur ligjin, është prokurori ai që ka shpërdoruar detyrën. Ndodhem në mungesë të akuzës. Kërkoj lirinë. Nëse prokurori i qëndron të njëjtës akuzë, do ta mendoj edhe njëherë gjykimin e shkurtuar. Nëse nuk më pranohet kërkesa por merret parasysh qëndrimi i prokurorisë do ta rishikoj qëndrimin tim për formën e gjykimit. E nderuar trupë gjykuese, zbatoni Kushtetutën, po mbahem në qeli pa akuzë./tvklan.al