Dëshira për të dalë jashtë i ka kushtuar 700 000 lekë një qytetari të Tiranës. Policia ka njoftuar se ai ka marrë një gjobë të majme pasi ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 33 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit. Ata janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 223 persona, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 persona, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

“Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020”, thotë policia ndërsa apelon qytetarët se nuk do të lejojë asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

“Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre./tvklan.al