Një dëshmi e të ngarkuarit me punë të Uashingtonit në Kiev i ka shtuar telashet presidentit amerikan Donald Trump në hetimin për aferën e Ukrainës.

Në mediat amerikane është zbuluar transkripti i dëshmisë së William Tayler në komisionin hetimor të kongresit muajin e kaluar, ku ai është shprehur se nga komunikimet me Shtëpinë e Bardhë kishte krijuar bindjen se presidenti kërkonte patjetër nga Ukraina të niste hetimet për Joe Biden dhe të birin.

“Më ishte lënë qartësisht të kuptohej se ndihma në fushën e sigurisë nuk do të jepej deri kur Presidenti (i Ukrainës) të angazhohej për të nisur hetimin”.

Kreu i komisionit të zbulimin në Dhomën e Ulët të Kongresit Adam Schiff shkroi në Twitter se dëshmia e Tayler është evidencë e qartë se Trump ka ushtruar presion ndaj presidentit ukrainas për nisjen e hetimeve. Trump ka kërkuar hetime mbi dyshimet se Joe Biden dhe i biri që ishte drejtor në një firmë gazi në Ukrainë, kishin ndikuar në shkarkimin e kryeprokurorit në vitin 2016, për të penguar hetimin e nisur prej tij për pronarin ukrainas të firmës Burisma.

Tv Klan