24-vjeçari Ritvan Zykaj nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e 8 të afërmve të tij gjatë marrjes në pyetje në polici. I riu ka pranuar krimin e rëndë dhe ka kërkuar avokat mbrojtës.

“Unë i vrava, më gjeni avokat se nuk dua të më vrisni. Viktimat më akuzonin për çdo gjë, une s’kam vjedhur asnjë pulë. Edhe ju më akuzoni për çdo gjë”

.

Kështu mësohet se është shprehur 24-vjeçari para grupit hetimor në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shkak i masakrës ka qenë sherri për motive banale, atë të vjedhjes së pulave. Mes tij dhe kushërinjve të vrarë mendohet se ka patur konflikt për pulat.

Zykaj u arrestua rreth 12 orë pas tragjedisë në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë. Ai u gjet i fshehur në një stan rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm. Ritvan Zykaj qëlloi me breshëri ndaj kushërinjve të tij të parë, mes të cilëve edhe dy fëmijë. 24-vjeçari zbrazi plot dy karikatorë mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykaj dhe gruan e 75-vjeçarit, Perije Zykaj.

Viktima mbetën edhe dy djemtë e Demirit, Azem dhe Besim me nuset Afërdita dhe Vasilika, si dhe fëmijët e Besimit Sara Zykaj 16 vjeç dhe Ledion Zykaj 8 vjeç. Sipas disa raporteve, thuhet se Zykaj është person me probleme mendore, ndërsa të tjerë pohojnë se është përdorues droge. Asnjë prej këtyre dy të dhënave nuk është e konfirmuar zyrtarisht.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbasditen e datës 10.08.2018, ku u vranë me armë zjarri 8 pjestarë të dy familjeve ju informojme se:

Grupi hetimor me ekspertë të Policisë Kriminale të DVP Vlorë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë hetimet lidhur me motivin e plotë të krimit të kryer prej 24 vjeçarit në fshatin Resulaj.

Që prej momentit që u shoqërua në ambjentet e DVP Vlorë, autori po pyetet në disa seanca nga strukturat policore përkatëse mbi rrethanat e krimit.

Nga hetimet e deri tanishme dhe nga deklarimet paraprake të shprehura prej tij, ka rezultuar se e ka kryer aktin kriminal për motive të dobëta/banale, (autori është shprehur se pjestarë nga dy familjet Zykaj e kanë akuzuar për vjedhje).

Lidhur mbi këtë por edhe në pista të tjera Policia po vijon hetime të imtësishme deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/tvklan.al