Nën masa të rrepta të sigurisë të Policisë dhe Forcave Speciale ka vazhduar sot në Gjykatën e Faktit procesi gjyqësor ndaj Myrteza Çaushit dhe të tjerëve. Gjyqtari i çeshtjes Martin Deda në fillim të seancës ftoi të dëshmojnë dëshmitarët e akuzës për sjelljen e të cilëve është kujdesur vetë Policia e Vlorës. Dëshmitari i parë Jemin Duçka dëshmoi mbi vrasjen e të birit Bernard Duçka me 9 Maj të ’97. Ai tha se djali i tij atë ditë shkoi për të dorëzuar paratë që Zani i kishte kërkuar për lirimin e disa pengjeve. Ai tha gjithashtu se atij i kanë thënë persona të tjerë që autori i vrasjes është Zani pasi vetë ai nuk di hollësira.

Por prokuroi i çeshtjes Xhevat Hana e ndërpreu duke i kujtuar se vetë ai në Komisariatin e Vlorës, fill pas vrasjes, kishte pohuar se autorë të saj janë vëllezërit Arben dhe Kastriot Latifi. Ndërsa avokati i Zanit i kërkoi gjyqtarit që dëshmia e tij të mos quhet e vlefshme pasi dëshmitari bie në kundështim me thëniet e tij të mëparshme dhe gjithashtu nuk përmend burimin e saktë nga i ka mësuar këto.

Dy dëshmitarët e tjerë Vangjel Golemi i cili dëshmoi për vrasjen e të birit Leonard Golemi dhe Agron Haxhiraj mbi rrëmbimin e gruas së tij Bukurie Haxhiraj, thanë se nuk kanë fakte dhe nuk mund të vënë gishtin as mbi Zanin dhe as mbi shokët e tij si autorë të këtyre ngjarjeve. Madje Vangjel Golemi tha se disa ditë pas vrasjes së të birit, vetë Zani kishte shkuar në shtëpinë e tij për t’a ngushëlluar.

Pastaj rradha u ka ardhur dëshmitarëve të mbrojtjes për të dhënë dëshmitë e tyre. Ishin dëshmitarë të cilët përmendën fakte dhe histori ku vetë Zani dhe shokët e tij u kanë ardhur në ndihmë ku u kanë shpëtuar jetën jo vetëm atyre por dhe shokëve të tij. Pas rreth 4 orëve gjyqtari Martin Deda ndërpreu seancën duke e shtyrë me datën 3 Shkurt./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj