Nuk përmend miqtë e Talo Çelës: I qëlloi Nuredin Dumani

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Klevis Alla, ndryshoi qëndrimin e tij përballë Gjykatës së Posaçme për personat e përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia në Prill të 2020.

Tre vite më parë ai u tha hetuesve se në ngjarje ishin përfshirë Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva, te tre të arrestuar dhe si organizator Talo Çela.

Në dëshminë para gjykatës ai tha se një nga qitësit ishte Nuredin Dumani dhe tjetrin nuk e kishte njohur.

“Në momentin që erdhi Besmir Haxhia, Nuredin Dumani uli xhamin dhe nisi të qëllojë, ndërsa personi tjetër pas makinës, qëlloi pa e hapur xhamin fare. Pas të shtënave të para, Nuredin Dumani doli nga makina dhe qëlloi sërish për t’u siguruar. Pas ngjarjes kemi ikur, jemi kthyer ku u takuam, Dumani dhe personi tjetër ikën në Tiranë”.

Alla tregoi se u vetëdorëzua në polici pasi dihej i kërcënuar dhe kishte frikë se Dumani do ta vriste.

“Ditën tjetër unë fillova të kisha frikë se do më vriste Dumani, sepse e ndjeja, më shikonte si më të vogël dhe mendonte se unë mund të flisja”.

Të dhënat e treguara nga bashkëpunëtori mbështeten edhe nga dëshmia e vetë Nuredin Dumanit.

Klevis Alla tregoi për gjykatën se si ai ishte kthyer nga një i ri i cili kishte në pronësi një servis, në ruajtësin e makinave të vjedhura të vrasësve me pagesë”, raporton gazetarja e Tv Klan Bleona Metushi.

Në 2 vite, tha Alla, persona të ndryshëm si Talo Çela, vëllai i Nuredin Dumanit apo edhe Besmir Haxhia i kanë lënë atij në ruajtje 20 apo 30 mjete të vjedhura, në qytete të ndryshme, duke i paguar nga 100 Euro për makinë.

Tv Klan