Nga Blendi Fevziu/ Nuk kemi pasuri tjetër veç turizmit! E pranojmë të gjithë. Ose më mirë të themi, nuk kemi gjë tjetër veç mundësisë për të pasur turizëm. Na e ka dhënë zoti. Ka qenë kështu prej mijëra vjetësh. Kemi 400 kilometra vijë bregdetare. Kemi plazhe që alternohen si rrallë kund në botë. Nga rëra e zezë tek ajo e artë, nga plazhet e mrekullueshme me ujin turkuaz deri tek shkëmbinjtë që bien thikë mbi det. Kemi male që lartohen mbi brigje. Kalojmë nga 1000 metra lartësi në Llogara, direkt në det për 15 minuta. Kush e sheh mahnitet. Të huajt pyesin me çudi: me gjithë këtë mrekulli, nuk keni turistë?! është mëkat.

E pranojmë pra, nuk kemi asgjë tjetër veç mundësisë për turizëm. Tokë bujqësore kemi fare pak. Dhe bujqësinë tonë, sido që të jetë e mbyt bujqësia e zhvilluar europiane. Aq më tepër e subvencionuar. Nuk kemi asnjë lloj industrie. Nëse nuk quajmë industri ca kapanone me ca makineri të vjetra që prodhojnë ende fare pak gjë, sa për të plotësuar ndonjë nevojë lokale.

Nuk kemi punëtorë të kualifikuar. Nuk shquhemi as për trurin; as për novacionin dhe as për dëshirën për punë. E dimë të gjithë këtë. Ata më të kualifikuarit, kanë ikur jashtë.

Nuk kemi tjetër veç turizmit. Por kemi vetëm atë pjesë që na ka dhënë natyra. Dhe atë që ka ndërtuar me mund privati. Aty ku duhet të ndërhyjë shteti është rrënim dhe turp. Merrni makinën të shkoni në parajsat e Jugut. Rruga ka vite që as mbaron dhe as merr formë. Ecën ca kilometra autostradë pastaj futesh prapë nëpër rrugët e vjetra. Dil nga fieri, hyr në Vlorë. Autostrada mbaron papritur dhe segmentet e saj nuk lidhen me njëra tjetrën. Asnjë shenjë, asnjë sinjalistikë.

Një i huaj që vjen në Shqipëri do gjendet i shokuar që në kilometrat e para. Nga të shkojë drejt Vlorës? Si kalohet Fieri? Çfarë sinjalistike ka Rradhima? Gjysma përfundojnë nëpër rrugë fshatrash sepse asnjë tabelë nuk tregon nga fillimi në fund se si shkohet në plazhet e kërkuara. Guidat europiane kanë falimentuar krejt. Transporti publik, aq i rëndësishëm në botë nuk ekziston fare. Duhet të gjesh ku nisen furgonët dhe të kuptosh kur ai mbushet plot që t’i japë gaz. Nuk ka as tabelë, as orar dhe asgjë tjetër.

Punimet në rrugë vijojnë që prej 25 vitesh. Anësdeti i Vlorës, ose pedonalja siç ju pëlqen ta quajnë është bërë si pëlhura e Penelopës. Në dimër ndërtohet e në verë shqepet prapë. Qeveria, në 3 vjet nuk ka ndërtuar dot 3 kilometra shëtitore. Dhe u tall me qeverinë paraardhëse që në 2 vjet ndërtoi 100 km të rrugës së Kombit. Dhe dy tunele 6 km të gjatë. Kryeministri na tha se Berisha i kishte ndërtuar, por qeveria e re do t’i kthente në rrugë të vërteta, në rrugë europiane. Me vijëzim, me sinjalistikë, me tabela dhe tregues. Sot janë edhe më të rrënuara seç kanë qenë, duke mos llogaritur palmat dhe pemët që në shumicën e rrugëve veç autostradës Tiranë – Durrës, ose janë tharë, ose janë rrëzuar nga aksidentet.

Plazhet janë edhe më problematikë. Dikur Berisha ndërtoi gjithë rrugët që të çonin drejt tyre. Por rrugët kanë mbetur deri aty. Po i marr një nga një. Nëse nuk i keni parë:

Plazhi i Palasës është fare i paarritshëm. Makinat duhet t’i lësh aty ku ka lënë rrugën qeveria e PD dhe më pas duhet të ecësh nëpër një morie gurësh për të shkuar në një det magjepës.

Plazhi i Drymadhësit në një anë ka një rrugë të shtruar në tjetrën, një rrugë plot pluhur dhe ujë të ndenjur. Makinat që ecin e ngrenë rërën në ajër dhe ja veshin pushuesve që rrinë nëpër lokale. Fare afër gërmadhave të ndërtimeve pa leje që janë prishur 2 vjet më parë dhe nuk jane hequr ende. Në këmbë nuk ecën dot. Ose do ta pësosh si ai turisti francez që ulërinte me të madhe, në mes të natës, me këmbën e thyer në një pusetë që nuk dukej. Se ndriçim nuk ka fare.

Plazhi i Dhërmiut, më i bukuri dhe më i njohuri në vend nuk dallohet më nga ndërtimet. Për të shkuar në pjesën jugore të tij, duhet të ecësh në një rrugë të pashtruar, të kalosh një përrua gjysëm të thatë dhe pasi të përplasësh disa herë makinën nëpër gurë, gjendesh në një bulevard me dhe të rrahur, ku në një anë shesin gyros dhe në anën tjetër shfaqen lokalet luksoze të fshatit.

Plazhi i Jalës është thuajse identik me atë të Dhërmiut. Rruga u ndërtua në 2009, por sapo hyn në atë që quhet plazhi me i shtrenjtë i jugut, duhet të ecësh mes mbeturinash dhe një rrugë të pashtruar. Nuk ka asnjë parking tamam dhe asnjë nga plazhet rrugë për këmbësorët. Nuk bëhet fjalë për banja dhe as për sigurinë në plazh.

Livadhi dhe Llamani vuajnë të njëjtin problem e me radhë. Çdo gjë që ka lënë zoti, është një mrekulli. Çdo gjë ku kanë vënë dorë privatët është rregulluar disi. Së paku ka tendencë për të krijuar oaze shërbimi dhe kushte korrekt. Edhe pse ende lënë shumë shumë për të dëshiruar. Çdo gjë që duhet të bëjë qeveria është skandaloze. E pa zënë me dorë, e parregulluar, e pa mbaruar.

U shpall me bujë që do ishte rilindja e turizmit dhe e jugut. Sot është perëndimi i tij i plotë. Një dështim total. Që s’ka nevojë as për komente dhe as për interpretime. Hiq shëtitoren e Himarës që është mbresëlënëse dhe model, gjithçka tjetër është e rrënuar. Nuk e besoni!. Hipini makinës dhe shiheni me sytë tuaj. Dhe pastaj mendoni me vete? A mund të jetë ky turizëm e ardhmja jonë e vetme ekonomike?