Dështimi i radhës në negociatat për zgjedhjet



Dështimi i radhës në negociatat për zgjedhjet

00:00 31/05/2020

Identifikimi elektronik ditën e zgjedhje

“24 orë nga skadimi i afatit të vendosur për miratimin e draftit të Reformës Zgjedhore, palët duken shumë larg arritjes së konsensusit. Demokratët kanë vendosur si kusht të panegociueshëm përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Identifikim elektronik në të gjitha qendrat e votimit, si dhe pilotim për votimin dhe numërimin elektronik. Për socialistët ky është një kusht i papranueshëm dhe janë gati vetëm për pilotim në 10 përqind të qendrave për identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik”.

Refuzimin e mazhorancës për t’i thënë ‘po’ kërkesave të opozitës, Oerd Bylykbashi e shpjegon me një strategji në prapaskenë për t’i vjedhur zgjedhjet. Pas daljes nga tryeza e Këshillit Politik, ai solli si provë zgjedhjet e kaluara lokale.

“Nuk heq dorë nga modeli i 30 Qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron, vetë shpall rezultatin”.

Por për Damian Gjiknurin, argumentet kundër janë më konkrete dhe kanë të bëjnë me çështje thjesht teknologjike.

“Këto aparaturat nuk janë që bleve një celular në dyqan dhe e përdore. Këtu është një sistem kompleks teknologjie. Sepse mund të marrësh shërbim online, por nuk të ndodh atë ditë, e merr një ditë tjetër. Pra mund të bjerë sistemi, po pasoja është e riparueshme. Por tek zgjedhjet si do bësh?”.

Pavarësisht 4 orëve pa rezultat që kaluan bashkë pasditen e kësaj të shtune, negociatorët do të takohen sërish të dielën. Megjithatë, socialistët janë të qartë se në fund të fundit e kanë luksin ta kalojnë ligjin e zgjedhjeve, edhe pa miratimin e PD-LSI.

“Partia Socialiste qartazi ka një alibi, do të krijojë një alibi. Në përfundim të procesit, më pas t’i drejtohet parlamentit që t’i vendosë rregullat vetëm, pa kompromis dhe pa konsensus”, u shpreh Bylykbashi.

Ne duam që të gjejmë rregulla zgjedhore të përbashkëta. Por njëkohësisht nuk duhet të mbahemi peng, nuk ka kuptim, duhet të na gjykojnë shqiptarët”, tha Gjiknuri.

Pavarësisht se solli në tryezë zërin e ambasadave, Rudina Hajdari doli e pakënaqur për të disatën herë. Kauza e saj e ndryshimit të sistemit u la për diskutim një herë tjetër.

Tv Klan



Të ngjashme