Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu ka dhënë dorëheqjen dhe partia e tij Social Demokrate do të largohet nga qeveria, pasi një kandidat nacionalist i krahut të djathtë fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, raporton BBC.

George Simion, një euroskeptik i cili ka premtuar se do ta vërë Rumaninë në vend të parë, fitoi 40.9% të votave të së dielës dhe pritet të fitojë një balotazh më 18 Maj.

Simion do të përballet me kryetarin liberal të Bukureshtit, Nicuşor Dan, i cili mundi me një diferencë të ngushtë kandidatin e Social Demokratëve (PSD).

Ndërkohë rezultati i zgjedhjeve të zhvilluara ditën e dielë e zhyti Rumaninë, një shtet të BE-së në krahun lindor të NATO-s, në trazira të mëtejshme politike.

Ciolacu u tha kolegëve se, meqenëse koalicioni i tyre nuk kishte arritur të përmbushte objektivin e tij dhe “nuk kishte legjitimitet”, ata duhet të tërhiqeshin nga qeveria.

/tvklan.al