Në një deklaratë nga selia e Partisë Demokratike, ish-deputeti Klevis Balliu ka deklaruar se me në krye të qeverisë Edi Ramën nuk ka drejtësi të pastruar nga të korruptuarit.

Balliu deklaroi se kryeministri ka përdorur standard të dyfishtë me rastin e bashkëshortes së nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba, Elona Kala.

Pasi nuk mundi të kalojë Vettingun, Balliu tha se, këshilltarja e Gjykatës së Lartë u tërhoq nga sistemi i drejtësisë sepse nuk justifikonte pasuritë e saj dhe të bashkëshortit. Por, me një vendim qeverisë, Rama e ka emëruar Kalën në një post në Entin Rregullator të Ujit.

“Një nga rastet më flagrante të standardit të dyfishtë të Edi Ramës është vendimi për t’i gjetur një punë në shtet bashkëshortes së nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, pasi ajo dështoi të kalojë vetingun.  Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana, u tërhoq nga sistemi i drejtësisë pak para daljes së vendimit të vetingut, sepse nuk justifikonte dot pasuritë e saj dhe të shërbëtorit të Ramës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por me një vendim qeverie këtë javë, Edi Rama e ka emëruar bashkëshorten e Denar Bibës në një post në Entin Rregullator të Ujit.  Megjithëse nuk justifikoi pasurinë, megjithëse u tërhoq para se vetingu ta shkarkonte nga detyra e këshilltarës në Gjykatën e Lartë, kamikazi i Edi Ramës në KQZ, i cili organizoi votime të paligjshme pa opozitën, u shpërblye.  Lufta kundër korrupsionit në dorën e Edi Ramës është vetëm propagandë. Ai ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Edi Rama flet për luftë kundër bandës KÇK në drejtësi, por ata që nuk kalojnë vetingu,  i emëron në detyra të tjera shtetërore”, tha Balliu.

Me këtë veprim, Balliu tha se Rama hedh poshtë një nga kushtet e Bundestagut.

“Sa për kujtesë, Rezoluta e Bundestagut shprehet qartë: “Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave do të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria: Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore Fillimi i procedimeve penale kundër atyre që nuk kalojnë vetingun”- thuhet në rezolutën e Bundestagut”, tha Balliu./tvklan.al