PD: opozita po censurohet me videokraci!

Ashtu siç kishin paralajmëruar deputetët e opozitës u paraqitën fizikisht në mbledhjet e komisioneve, ndonëse parlamenti vendosi mbajtjen e tyre online për shkak të pandemisë. Përplasja e parë u shënua në Komisionin e Ligjeve. Kaq mjaftoi për tu ndërprerë mbledhja.

Nënkryetari i komisionit të ligjeve Oerd Bylykbashi tha se zhvillimi i komisioneve online është videokraci e Kryeministrit Rama dhe se një vendim i tillë bie ndesh me kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

“Është qartazi mënyrë për të hequr totalisht transparencën që iu duhet qytetarëve për të kuptuar kush janë aferat korruptive që Edi Rama i kthen në ligj”.

E vetmja tolerancë që iu bë opozitës në Komisionin e Sigurisë ishte mbajtja e një minute heshtje në nderim të policit që mbeti I vrarë në krye të detyrës në Kune-Vain. Më pas mbledhja u mbyll.

Të njëjtin fat pati edhe Komisioni i Shëndetësisë, ku maxhoranca nuk lejoi zhvillimin me prani fizike të deputetëve të opozitës.

“Pse Edi Rama mund ta mbledhë qeverinë me ministrat e tij dhe ne nuk mbledhim anëtarët e komisionit. Ku janë protokollet e sigurisë?”

Përfaqësuesit e opozitës thanë se nuk do të lejojnë zhvillimin e komisioneve online, ndonëse pak ditë më parë nga parlamenti përfaqësuesit e maxhorancës kërkuan vaksinim me detyrim për deputetët, në mënyrë që komisionet t’i rikthehen normalitetit. 

Tv Klan