Kurti: U refuzua oferta jonë. Mustafa: Në jemi gati për bisedime

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës përfundimisht nuk kanë arritur marrëveshje para seancës konstituive të Kuvendit, që do të zhvillohet të enjten.

Albin Kurti, nëpërmjet një videomesazhi, njoftoi se LDK-ja ka refuzuar ofertën e fundit të Vetëvendosjes, të bërë më 23 Dhjetor. Ndonëse kishin thënë se nuk do të bëjnë pazare politike, pikërisht kjo është arsyeja e mosmarrëveshjes së dy partive fituese të zgjedhjeve.

“Nëse LDK insiston që patjetër ta bëjmë tani premtimin për presidentin atëherë LVV duhet të marrë tani një ministri, atë të Punëve të Brendshme, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit”.

Vetëvendosja kishte kërkuar që LDK të kishte postin e kryeparlamentarit dhe ajo dy nënkryetarët. Sipas Kurtit, këto oferta nuk ishin pranuar.

“Përtej kësaj nuk mundemi, nuk duam dhe nuk kemi ku shkojmë. Duam të ndajmë përgjegjësinë qeverisëse me drejtësi e bujari”.

Pas videomesazhit të Kurtit ka qenë i menjëhershëm reagimi i Mustafës. Ai thekson se për LDK, negociatat nuk kanë dështuar. Thotë se ndarja e posteve qeveritare, duhet te jete e balancuar, sipas rezultatit të zgjedhjeve.

“Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së. Kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 Tetorit”.

Mustafa lë të hapur mundësinë e arritjes së marrëveshjes. Ai shpreson se në ditët në vijim palët do të ulen në tryezë për të gjetur dakordësi në krijimin e qeverisë së re. Të enjten pritet vetëm të kryhet betimi i deputetëve, por jo zgjedhja e organeve Kuvendit.

Nuk është hera e parë që në Kosovë zgjasin bisedimet për krijimin e koalicioneve. I njëjti ngërç u përsërit pas zgjedhjeve të 2017 ndërsa në 2014-n, qeveria u krijua pas 6 muajsh.

Tv Klan