Obama-FlightPresidenti amerikan Barak Obama e konsideroi një “sfidë të vërtetë” arritjen e një armëpushimi në Gaza, pa pasur besimin e plotë se HAMAS do të bashkëpunojë.

Deklaratën, Obama e bëri gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku u shpreh se është e vështirë t’a konsiderosh të ligjshme nevojën e Izraelit për t’u mbrojtur, duke marrë parasysh shqetësimet e drejta, sipas tij për numrin e lartë të viktimave civile në Gaza.

Por Presidenti amerikan akuzoi HAMAS-in për veprime, të cilat i quajit pabesueshmerisht të papërgjegjshme, referuar këtu depozitimit të armatimeve e raketave në brendësi të lagjeve të populluara.

Obama bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të ushtarit izraelit Hadar Goldin, 23 vjeç, i cili mendohet të jetë marrë peng teksa merrte pjesë në operacionet për shkatërrimin e tuneleve të HAMAS. Këtë ai e konsideroi si të vetmen mënyrë për të mbajtur gjallë shpresat për uljen e tensioneve në Gaza.

Marrja peng e tij, sipas ministrisë izraelite të mbrojtjes ndodhi në jug të Gazës, duke i dhënë fund armëpushimit humanitar 72-orësh të shpallur më parë nga Izraeli. Ushtria e Tel Avivit reagoi ashpër, përmes sulmeve me predha që i morën jetën 53 personave dhe plagosën qindra të tjerë.

Në 25 ditë konflikt të përgjakshëm kanë humbur jetën mbi 1500 palestinezë, shumica civilë dhe 61 ushtarë izraelitë.

Presidenti amerikan Barak Obama në konferencën e tij për shtyp në Uashington foli edhe për një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin. Putin i kishte thënë Obamës se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për Ukrainën po japin pasoja kundërprodiktime, dhe po rrezikojnë stabilitetin ndërkombëtar.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ishte i vetëdijshëm për këtë si dhe për faktin se kjo çështje po dëmtonte të dyja palët. Ndaj të dy udhëheqësit kishin shprehur angazhimin e tyre për nisjen e një rruge bashkëpunimi për uljen e tensioneve.

TV KLAN