Një përplasje me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Vlorës. Nga dy makina në ecje është shkëmbyer zjarr me njëra-tjetrën. Për pasojë ka mbetur i plagosur një person që nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.

Mësohet se mjetet kanë lëvizur paralel në rrugë, ndërsa në një moment kanë ndaluar para një lokali në zonën e Lungomares, duke qëlluar sërish me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur në këmbë Dajko Cenodemaj, teksa ishte duke pirë kafe në një lokal pranë vendit të ngjarjes.

Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë, pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Pas kësaj, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit të Vlorës, që dyshohet të jetë përdorur nga një prej autorëve të atentatit.

Makina është një Land Rover i zi, që rezulton të jetë me targa të vjedhura, ndërsa brenda saj u gjetën dy armë automatike. Policia e Vlorës së bashku me FNSH dhe Delta Forcë ka mbërritur në zonën ku u gjet automjeti i djegur, duke krehur zonën për gjetjen e autorëve të ngjarjes.

Nga ana tjetër policia ka kërkuar të marrë kamerat e sigurisë nga bizneset që ndodhen pranë vendit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit, ndërsa nga burime të bluve mësohet se ka pasur kontrolle pranë zonës ku është gjetur automjeti dhe janë vënë në ndjekje të personave përgjegjës.

Burime nga blutë e Vlorës kanë konfirmuar se bëhet fjalë për tre persona, ndërsa mungojnë nga këta të fundit informacionet zyrtare. Policia është duke hetuar për ngjarjen dhe shkakun, apo se cili është objektiv i atentatit të ndodhur në Vlore, në zonën e Lungomares.

Tv Klan