Në mungesë të partive më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të enjten ka dështuar një tjetër takim i partive politike parlamentare, të cilin e kishte thirrur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të arritur unitet rreth platformës për dialogun me Serbinë.

Pavarësisht mungesës së partive më të mëdha opozitare, pjesë e takimit kanë qenë përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate dhe Alternativës.

Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se rezoluta për dialogun, e cila është propozuar nga partitë e koalicionit qeverisës, është e hapur për të përfshirë gjithçka që mund të përforcojë qëndrimin e Kosovës në ballafaqimin me Serbinë, në kuadër të dialogut.

Ai edhe një herë ka ftuar LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të marrin pjesë në krijimin e një qëndrimi unik të vendit për qasje në dialog.

“Nuk mund të jetë Kosova, proceset e saj historike – do të thotë, ballafaqimi me Serbinë – fushëbetejë për luftën për pushtet. Më i rëndësishëm territori, sovraniteti, më e rëndësishme është e ardhmja jonë euroatlantike, se sa çdo kolltuk i pushtetit, të cilin mund ta kemi sot apo hipotetikisht, në të nesërmen. Është gabim historik në qoftë se i japim mundësi që me ndarjen tonë, me mosarritjen e konsensusit tonë, t’i japim hapësirë Serbisë që ta tregojë veten të moderuar dhe t’i japim mundësi Vuçiqit që të flasë në emrin tonë”

, ka thënë Veseli.

Megjithatë, takimin me përfaqësuesit që ishin të pranishëm sot, Veseli e ka vlerësuar konstruktiv dhe parimor.

Ai ka theksuar se sërish do t’iu bëjë ftesa partive politike për takime, qoftë të ndara, qoftë të përbashkëta, për të arritur konsensusin./REL