Prokuroria e Tiranës dështoi sot të marrë në pyetje përfaqësuesin ligjor të kompanisë DH Albania, e përfshirë në skandalin e fitimit të dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro, përmes dokumenteve të falsifikuar.

Avdjol Dobi ishte thirrur të jepte sqarime në lidhje me aferën e lotit të parë të Unazës së Madhe, me vlerë 18 milionë euro dhe atë të ndërtimit të linjës 220 kilovolt, Burrel-Peshkopi.

Por 26-vjeçari nuk është paraqitur pranë organit të akuzës.

Si personi i vetëm që përfaqëson DH Albania në Shqipëri dhe që ka negociuar dy kontratat me shtetin shqiptar, dëshmia e tij konsiderohet e rëndësishme. Megjithatë, edhe pse hetimet kanë nisur prej me shumë se 1 javë, deponimi i tij nuk është bërë ende pjesë e hetimit.

Avdjol Dobi do të japë sqarime në lidhje me dokumentet që kompania dorëzoi pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe do të pyetet nëse ka dijeni që dokumentet e paraqitura janë të falsifikuara, apo se kush janë personat që ia kanë dhënë atij këto dokumente.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se DH Albania ka falsifikuar datën e regjistrimit, bilancet dhe një certifikatë të Sekretarit të Shtetit të Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës ajo nuk ka detyrime fiskale në këtë shtet, ku është regjistuar.

Dyshohet gjithashtu se DH Albania ka falsifikuar edhe noterizimin në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një noter, i cili rezulton se nuk ekziston.

Sipas sistemit TIMS, Avdjol Dobi rezulton se ndodhet në vendin tonë, por ai nuk ka njoftuar në prokurori as nëse e ka marrë fletë-thirrjen e nisur nga prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj.

Grupi hetimor ka nxjerrë fletë-thirrje edhe për noteren Xhevahire Brahaj, e cila ka kryer noterizimin e të gjithë dokumentacionit të DH Albania në vendin tonë, si dhe për përkthyesen Shenda Kruja, e cila nuk ka një licencë të Ministrisë së Drejtësisë dhe përkthimi i saj nuk është ligjor.

Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, kanë publikuar të dhëna dhe dokumente zyrtare që e lidhin Dobin e Krujën me kompaninë Gener 2, e cila rezulton se ka paguar edhe për hapjen e NIPT-it në Shqipëri, për llogari të DH Albania.

Tv Klan