Propozimi i amerikanëve mori vetëm dy vota “pro”

Këshilli i Sigurisë në Kombet e Bashkuara ka refuzuar një rezolutë të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për zgjatjen e embargos ndaj armëve të Iranit, që pritet të skadojë në tetor.

Vetëm 2 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e dhanë votën në një video-konferencë për tekstin e rezolutës së propozuar nga SHBA, ndërkohë që kundër votuan Kina dhe Rusia. 11 shtete të tjera, mes tyre Gjermania, Franca, Britania e Madhe abstenuan.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha se me këtë veprim vendet e Këshillit të Sigurimit i kanë mundësuar Iranit të blejë dhe të shesë armë.

 “Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dështuar sot të mbajë përgjegjës Iranin. I ka mundësuar sponsorit kryesor të terrorizmit që të blejë dhe te shesë armë vdekjeprurëse. Amerika do të vazhdojë të punojë për të përmirësuar këtë gabim”, tha Pompeo.

Irani e përshëndeti vendimin e Këshillit të Sigurimit, duke theksuar se vendimarrja tregoi izolimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Asnjëherë në historinë 75-vjeçare të Kombeve të Bashkuara, SHBA nuk ka qenë kaq e izoluar”, u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Musaui.

Rezoluta e hartuar nga SHBA-ja synonte të zgjaste një embargo ndërkombëtare të armëve mbi Iranin, që do të lehtësohej në mënyrë progresive. Gjermania, Franca, Britania e Madhe ishin parimisht pro për zgjatjen e saj, por synonin një embargo me afat.

Por pavarësisht këtij votimi në Këshillin e Sigurimit, Washingtoni ka planifikuar masa të tjera të ashpra. Amerikanët kanë kërcënuar se mund të vënë në përdorim mekanizmin e ashtuquajtur, snapback, me anë të të cilit shtete të caktuara mund të ashpërsojnë masat kundër shkeljeve iraniane.

Tv Klan