Dështon sërish gjyqi në Apel për Shullazin

Dështon sërish gjyqi në Apel për Shullazin

15:53 15/03/2019

Për herë të pestë për mungesë të avokatëve, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka shtyrë procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij. Seanca tjetër u caktua në datën 25 Mars dhe një nga vendimet e gjykatës ishte caktimi i një avokati kryesisht në mënyrë që procesi të vazhdojë rregullisht.

Qëkurse dosja ndaj Emiljano Shullazit ka mbërritur në Apel asnjë seancë nuk ka mundur të zhvillohet normalisht. Në seancën e zhvilluar këtë të premte mungonte avokati i Gilmando Danit, por edhe mbrojtësi i cili ishte caktuar kryesisht për të. Në këto kushte, gjykata e kishte te pamundur për të vazhduar procesin duke u detyruar të rithërrasë avokatët. Në sallë mungonin edhe Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Endri Zela, ndërsa të pranishëm ishin Gilmando Dani dhe Endri Qyqja. Prej Janarit, trupa gjykuese e ka pasur të pamundur të vijojë procesin për shkak të problemeve në procedurë.

Gjykata e Shkallës së Parë i dënoi këta persona me 55 vite burg në total për akuzat e kanosjes dhe gjobëvënies të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria e Krimeve të Rënda i akuzonte këta persona per katër episode, por gjykata i dënoi vetëm për dy kërcënime dhe gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe kërcënimin e Jani Zekës me qëllim marrjen e një parkimi. Ndërsa nuk u provua kërcënimi ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe hedhja e një sasie tritoli në biznesin e Adriatik Kërçukut në Lushnje.

Tv Klan
Të ngjashme
Kolegji Profesional
AKSHI