Seanca e jashtëzakonshme 3 ditore u përmbyll pa rezultat. As grupi negociator i propozuar nga qeveria për bisedimet me Serbinë dhe as rezoluta e opozitës që ndalon presidentin Thaçi të diskutojë në dialogun e Brukselit ndryshimin e kufijve nuk u miratuan për mungesë votash. Pas mbledhjes me krerët e grupeve parlamentare, kreu i Kuvendit Kadri Veseli shprehu bindjen se Kosova do të paraqitet e bashkuar në dialog.

“Do të arrihet konsensusi kombëtar, do të kemi unitet në ballafaqimin tonë me Serbinë si shtet i pavarur dhe sovran, do të ndërtojmë platformën pavarësisht se në momentin aktual na duhet kohë”.

Veseli propozoi që dy çështjet e ngritura për diskutim të shqyrtohen dhe votohen nga deputetët veç e veç dhe rezultati i votimit të jetë i detyrueshëm për të gjitha palët. Por kreu i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë akuzoi shumicën se ka marrë peng institucionet.

“Kushti i Kryetarit të Kuvendit që për thirrë seancën e jashtëzakonshme opozita të sigurojmë 61 vota në sallë është metodë për të bllokuar punën e kuvendit për të marrë peng Kuvendin. Po bëmë kuorumin ne rrëzojmë qeverinë”. 

Pas debateve të shumta që ngjalli propozimi për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Hashim Thaçi do të takohet të premten në Bruksel me homologun serb Aleksandër Vuçiç.

Tv Klan