Shqipëria e nisi me humbje fushatën kualifikuese të Euro 2020 edhe pse u përpoq të krijonte raste shënimi me Turqinë të premten në Shkodër.

Kombëtarja u mund me rezultatin 2 – 0 në përballjen në “Loro Boriçi” pas pakujdesive në mbrojtje. Loja e dobët solli edhe irritimin e tifozëve ndaj Christian Panuccit. Trajneri surprizoi me formacionin ku preferoi në sulm Bekim Balajn dhe nga minuta e parë u aktivizua edhe Ivan Balliu.

Kuqezinjtë e kërkuan golin që në fillim, por pa e arritur. Balaj dhe Balliu rrezikuan portën turke. Në momentin më të mirë të kuqezinjve Turqia realizoi gol. Gabimi i Gjimshitit në mesin e pjesës së parë u shfrytëzua nga Burak Yılmaz, i cili kaloi miqtë në avantazh.

Përpjekjet e Shqipërisë për të shënuar nuk u ndalën, por pa sukses. Kuqezinjtë e nisën sërish në sulm pjesën e dytë, por sërish duke harruar mbrojtjen. Goditja e Calhanoglu nuk u ndal dot nga Berisha. Portieri u fajësua nga tifozët për këtë gol. Panucci tentoi të ndryshonte situatën, duke aktivizuar Sadikun dhe Grezdën në vend të Balajt dhe Balliut. Pavarësisht kësaj nuk solli ndryshim të rezultatit. Shqipëria do të luajë të hënën në transfertë me Andorrën që u mund 2 – 0 nga Islanda. Grupi H kryesohet nga Franca që fitoi 4 – 1 Moldavinë.

Tv Klan