“Konstatova me një kënaqësi të veçantë se nuk është e lehtë të më zëvendësojnë mua”.

Më humor e njoftoi Jean Claude Juncker mungesën e një rezultati në mbledhjen e Këshillit Europian për gjetjen e një kandidature konsensuale për postin e kreut të Komisionit. Në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 Majit asnjë grupim nuk siguroi shumicën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel vijon të mbështesë kandidatin e Partisë Popullore Europiane, gjermanin Manfred Veber. Por kandidatura e tij kundërshtohet nga presidenti francez Emanuel Makron, i cili ka marrë një rol lideri tek liberalët. Makron sqaroi se si kritere nuk ka kombësinë apo përkatësinë politike, por aftësinë për të drejtuar Komisionin, që sipas tij Veber nuk e ka.

“Nuk kam asgjë kundër kandidatëve gjermanë. E kam thënë pa shaka se do e mbështesja Merkelin si kandidate sepse besoj se ka aftësi të mira për të qenë presidente e Komisionit”.

Merkel megjithatë kërkon të zbatohet parimi i përzgjedhjes së kandidatit të partisë që renditet e para në zgjedhje.

“Jemi në gjysmë të rrugës, por jo atje ku do doja të ishim”.

Analistët thonë se Gjermania dhe Franca, që kanë përzgjedhur historikisht presidentët e KE-së, duket se i kanë dhënë fund mirëkuptimit mes tyre. Mbledhja e radhës për këtë çështje do të mbahet më 30 Qershor.

Tv Klan