Gomonia me 1.6 ton kanabis që u kap mesnatën e së shtunës nga autoritetet greke ka qenë nën monitorim prej dy javësh. Nga burime konfidenciale të tvklan.al mësohet se skafi me tre motorë të fuqishëm është ndjekur para 15 ditësh nga Roja Bregdetare Greke dhe FRONTEX. Mjeti lundrues u pikas në ishullin e Korfuzit duke u nisur drejt Italisë. Menjëherë u njoftua Policia Kufitare Shqiptare, Guarda Di Finanza dhe FRONTEX.

Por, gomonia u kthye pas dhe dyshohet se u fsheh në ishujt grekë. Sipas burimeve nga policia kufitare dhe GDF, skafi u kthye pasi pati probleme me motorët dhe nuk mundi të dilte në det të hapur. Që prej atij momenti, gjatë këtyre dy javëve skafi është mbajtur nën monitorim nga autoritetet greke. Në dijeni të kësaj situate kanë qenë edhe autoritetet shqiptare dhe ato italiane. Ndërkohë, mesnatën e së premtes dhe të shtunën (24-25 Nëntor) skafi i fuqishëm u nis sërish në det të hapur për të trafikuar marijuanën dhe është zhvilluar ndjekje në Egje dhe Jon për disa orë nga policia bregdetare greke. Gjatë ndjekjes pati të shtëna me armë nga të dyja palët dhe mbeti i plagosur lehtë njëri prej trafikantëve që ndodhej në bordin e skafit.

Pas disa orësh, mjeti ndaloi dhe u arrestuan tre personat që u gjetën në bord.  Ata janë dy shqiptarë dhe një italian. Shtatë persona të tjerë u vunë në pranga pas hetimeve; një grek, një bullgar, katër shqiptarë dhe një italian. Pra në total 10 persona të arrestuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Mediat greke raportuan se mes të arrestuarve është edhe një biznesmen i njohur në ishullin e Mikonos.

Ndryshe nga sa raportojnë mediat greke sipas të cilave mjeti lundrues u nis nga bregdeti jugor i Shqipërisë, dinamika e ngjarjes tregon se gomonia mund të jetë nisur nga ishujt e Greqisë. Megjithatë, kjo nuk është përcaktuar ende dhe pritet përfundimi i hetimeve që do të zbulojë edhe vendin se ku u ngarkua lënda narkotike, e cila ishte destinuar një pjesë për tregun vendas dhe një pjesë për shtetet evropiane. Deri tani nuk është bërë me dije identiteti i asnjërit prej të arrestuarve.

/tvklan.al