Tvklan.al ka mësuar të tjera detaje në lidhje me gomonen me drogë të kapur në Itali, ku u arrestuan dy trafikantët shqiptarë nga Vlora. Burimet policore thonë se të dyshuarit K.B. 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç kaluan kufirin si këmbësor nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Autoritetet shqiptare patën dyshime rreth tyre se ishin të përfshirë në trafik droge dhe vunë në dijeni homologët malazezë që t’i mbanin nën vëzhgim.

Ata u survejuan deri dje në orën 19:00, kur shkuan në bregdetin malazez dhe morën gomonen me drogë e më pas dolën në det të hapur. Menjëherë ndaj tyre filloi ndjekja dhe u njoftua edhe Guarda di Finanza në Itali. Gjatë ndjekjes në Adriatik, trafikantët shqiptarë hodhën pakot me kanabis në det për t’i shpëtuar policisë.

Ata fshehën gomonen në brigjet e Foggias dhe u kapën në një kompleks vilash ku tentuan të fshehishin. Dy shqiptarët u kapën në flagrancë, ndërsa u sekuestruan edhe pakot me drogë me peshë 885 kg. Vlera e lëndës narkotike kap shifrat e 8 milionë Euro. /

tvklan.al