Agresori i eliminuar nga policia e Dallasit kishte shprehur dëshirën për të vrarë disa policë të bardhë. Kjo u bë e ditur nga vetë Shefi i policisë së Dallasit, David Brown.

Në atë që konsiderohet si masakra e Dallasit, 5 policë u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën, si pasojë e një sulmi me armë gjatë protestës kundër vrasjes së dy personave me ngjyrë nga ana e policisë.

Mediat amerikane njoftuan se një nga autorët është 25-vjeçari, Micah Johnson. Ai është një ish-ushtarak pa precedentë penalë. I riu amerikan ishte tejet i zemëruar për vrasje e ditëve të fundit ndaj njerëzve me ngjyrë. Ai u eliminua nga policia me eksploziv me anën e një roboti.

Johnson ishte shprehur se nuk bënte pjesë në ndonjë grup terrorist dhe se kishte vepruar i vetëm. Gjithsesi policia arrestoi 3 persona të tjerë, pasi qitësit dyshohet se ishin të paktën dy.

Një nga agresorët pati një shkëmbim zjarri me një agjent policie, duke e lënë fatkeqësisht të vdekur këtë të fundit. Nga Varshava ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s, presidenti amerikan Barak Obama tha se sulmi ishte i paramenduar. /TV KLAN