Policia ka identifikuar viktimat e aksidentit tragjik me pasojë vdekjen në zonën e Porcelanit në Tiranë. Njëri prej tyre është Erion Balla 36 vjeç nga Rrësheni, kurse tjetra një grua 72-vjeçare e quajtur Hidajete Salliu nga Tirana. Dy viktimat ishin këmbësorë dhe u përplasën nga një prej makinave të përfshira në aksident.

Mësohet se dy automjete tip Volkswagen u përplasën me njëri-tjetrin dhe më pas goditën dy këmbësorët. Policia e Tiranës thotë se në aksident u përfshinë mjeti me targë AA 544 SX që drejtohej nga Etjon Lazri dhe automjeti i dytë me targë AA 758 YZ që drejtohej nga Edmond Murati. Të dy pësuan lëndime nga përplasja e mjeteve.

Njëri prej tyre, Etjon Lazri u dërgua fillimisht në spital për trajtim mjekësor dhe më pas u shoqërua në polici. I shoqëruar është edhe shoferi i dytë, dhe të dy po pyeten për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Grupi hetimor dyshon se shkak i aksidentit fatal ka qenë parakalimi i gabuar i një prej makinave. /tvklan.al