Makina e autorëve e vjedhur në Greqi

Dalin në dritë detaje të reja nga ngjarja që tronditi Vlorën mbrëmjen e së shtunës ku u ekzekutua në një atentat të mirëmenduar 40-vjeçari Gentian Qarri.

Burime nga grupi hetimor thanë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja ndërsa viktima ka marrë në trup 12 plumba duke bërë që ai të ndërrojë jetë sapo mbërriti në spital.

Policia ka shoqëruar 15 persona gjatë natës në përpjekje për të zbardhur rrethanat dhe identifikuar autorët. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se autorët kanë mbajtur nën vëzhgim 40-vjeçarin për të mësuar lëvizjet e tij. Në mbrëmje ai kthehej në banesë pasi punonte si hidraulik.

Autorët hapën zjarr me breshëri dhe u larguan në drejtim të pyllit të Sodës ku dogjën automjetin e përdorur në krim. Brenda u gjet edhe një armë automatike e cila mendohet se është përdorur prej tyre. Makina e djegur rezulton e vjedhur në Greqi.

Burimet thanë se Gentian Qarri bënte aktualisht një jetë të rregullt ndërsa në të kaluarën ishte dënuar për trafik drogë në Itali. Një nga pistat ku po hetohet është ajo e konflikteve të vjetra.  

Tv Klan