Detaje të reja janë publikuar në lidhje me ngjarjen e së shtunës në Frosinone të Italisë, ku një shqiptar humbi jetën ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Siç shkruajnë mediat italiane, viktima një 27-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ka marrë një plumb në qafë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me ngjarjen është arrestuar një 23-vjeçar shqiptar. Tre të tjerë, po ashtu shqiptarë, janë identifikuar nga autoritetet italiane dhe po punohet për kapjen e tyre. Ajo që në fillim u raportua si përplasje mes shqiptarëve dhe marokenëve, rezultoi në fakt vetëm si përplasje mes dy bandave kundërshtare shqiptare. La Repubblica, shkruan se sherri nisi fillimisht brenda një bari në qendër të Frosinone-s. Më pas dy bandat u përballën në rrugë.

Policia është duke vijuar hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të kësaj ngjarje të rëndë që ka shokuar opinionin vendas.

Sipas të dhënave nga mediat italiane rezulton që 4 shqiptarët, pra viktima dhe 3 të plagosurit, po qëndronin ulur në një lokal. Gjithçka nisi rreth orës 19:00 kur aty shkoi me shpejtësi një makinë tip Lancia Ypsilon dhe parkoi para lokalit. Fillimisht mes shqiptarëve të ulur dhe dy të tjerëve që erdhën me makinë ka pasur një debat verbal me tone të larta. Në moment e sipër autori ka nxjerrë një pistoletë të kalibrit 22 dhe ka qëlluar 4 ose 5 herë. Një prej plumbave kapi 27-vjeçarin në qafë. Të tjerët u plagosën në bark dhe në këmbë. Ata janë dërguar në spital ku ndodhen në kujdesin e mjekëve.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ambulanca të shumta duke qenë se si pasojë e të shtënave u krijua panik në zonë sepse në momentin e ngjarjes kishte edhe klientë të tjerë në lokal. Sipas asaj që shkruan Frosinone Today, dyshimet e para janë që shkak i ngjarjes të jenë bërë përplasjet mes bandave për shpërndarjen e drogës në një nga zonat më popullore të qytetit.

Tashmë për 23-vjeçarin e arrestuar rëndojnë akuzat për vrasje dhe tentativë vrasjeje për tre raste.

Ndërkohë mediat shkruajnë se ajo që ndodhi mbrëmjen e së shtunës është një alarm shoqëror që ka bërë prefektin e Frosinone-s, Ernesto Liguori, të mbledhë një komitet për rendin publik dhe sigurinë, takim që pritet të mbahet sot./tvklan.al