“Ditë për ditë” është programi më i ri që pritet të nisë së shpejti në Televizionin Klan. Ideuar nga Drejtori i Programeve, në Tv Klan, Armand Shkullaku, me kryeredaktore Elda Lazen, ky emision do të jetë çdo ditë në ekran në orën 13:45.

Për të folur për programin më të ri ishin sot në studion e “Rudina” në Tv Klan moderatorët Alba Çobaj, Albi Isakaj, Ardit Murataj, Liesa Haxhiasani dhe blogerja e ushqimit Kristi Janku.

Ata zbuluan se ky program do të trajtojë tema të ndryshme dhe do të japë informacione të shumta.

https://youtu.be/0BDXqSTY3ac?t=1m20s

“Do jetë diçka shumë e lirshme, spontane do ketë edhe thashetheme, do të jetë live dhe shumë i këndshëm për t’u parë. Para disa ditësh është lançuar edhe spoti që besoj të gjithë e kanë parë dhe orari kur do të transmetohet do të jetë në 13:45. Është një orar i mirë dhe familjarët besoj se do të na shohin, do informojmë për shumë gjëra, do të kemi tema pa fund për të trajtuar. Ideja për këtë emision ishte e drejtorit Armand Shkullaku dhe e kryeredaktores Elda Laze. Ishte Elda ajo që na orientoi, sugjeroi emrin tim dhe mblodhi të gjithë të tjerët dhe ja ku jemi një familje e madhe tashmë që do të çojmë përpara këtë projekt”,

Alba Çobaj.

Kristi Janku, blogerja e ushqimit e cila sezonin e kaluar ishte pjesë e Tv Klan përmes emisionit “Kush vjen për drekë” do të mbulojë sërish pjesën e kuzhinës në emisionin më të ri, por këtë vit do të vijë me ndryshime.

“Këtë vit do të sjell disa ndryshime, duke qenë se sezonin e kaluar isha pjesë e “Kush vjen për drekë”, por pa dalë nga fokusi im që është të jetuarit shëndetshëm dhe të përgatiturit ushqime për personat që janë të impenjuar gjatë ditës. Të gatuash 2-3 orë është luks sot, kështu që do të përgatisim gjëra të shpejta dhe të shëndetshme”,

tha Janku.

Liesa Haxhiasani po ashtu zbuloi se në këtë program do të trajtojnë edhe të rejat nga muzika dhe showbizi.

“Programet me të cilët jemi marrë më përpara kanë patur tematika të ndryshme, por edhe në këtë emision do të merremi me muzikën dhe të rejat nga showbizi të cilat do t’i trajtojmë edhe më gjërë pasi edhe audienca që pretendojmë të na ndjekë do të jetë më e lartë. Emocionet janë të mëdha dhe ne presim që të mirëpritet si projekt”,

tha Liesa.

Ndërkohë Ardit Murataj shtoi se qëllimi i programit është që të transmetohet në publik në mënyrë sa më natyrale dhe rinore.

“Shpresojmë që gjithçka të vijë në mënyrë sa më natyrale. Ne kemi patur më parë një program rinor dhe ky program do ta ketë po ashtu këtë frymë. Sa më të bashkuar të jemi të gjithë, mund të bëjmë një punë shumë të mirë dhe njerëzit në fund të fundit të jenë të kënaqur dhe të na shohin”,

tha Ardit Murataj.

/tvklan.al