Në sitën e prokurorisë do të kalojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe rregullorja e brendshme e burgjeve

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për të hedhur dritë mbi tentativën për t’u arratisur nga burgu 313 të tre të dënuarve. Hetuesin kanë marrë nën shqyrtim rregulloren e brendshme të burgjeve, për të parë  se si veprohet çfarë parashikon ajo dhe nëse gardianët mund të lëvizin apo jo nga regjimi i brendshëm. Gjithashtu ata kërkojnë informacion se kush e ka dhënë urdhërin për të lëvizur nga ambientet e vendit ku qëndronin, pasi Çepele tentoi të vrasë veten.

 Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulëzim Çepele tentuan që të thyejnë sigurinë e burgut 313 për të fituar lirinë, por plani i tyre ka dështuar pasi ata u ndaluan nga roja i derës së jashtme. Grupi hetimorë ka marrë edhe kartela mjekësore të Lulëzim Çepelës që tentoi vetvrasjen, nëse gjendja e tij shëndetësore ishte apo jo e rëduar në mënyrë që të dërgohej me urgjencë në spital.

Po ashtu hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë që janë në ambientet e jashtme të burgut 313,  për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë autmojet jashtë ambienteve të 313 që mund t’i priste për t’u ardhur në ndihmë Pjetrit dhe Çekajt, që t’i largonin.

 Ndërkohë nga ana tjetër vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka pasur edhe persona të tjerë që kanë pasur dijeni dhe i kanë ndihmuar ata në tenativën për t’u arratisur. Hetuesit do të marrin në pyetje edhe stafin mjekësor që është kujdesur për Lulëzim Çepelen i cili preu damarët e dorës së djathtë. Bluzat e bardha do t’u shpjegojnë hetuesive nëse gjendja e tij ishte kritike për jetën.

8 punonjës të burgjeve do të rijapin sërish deklarimet e tyre para hetuesive, pasi ka dyshime për shkelje të rregullores së brendshme të burgjeve ditën kur u tentua arratisja. Fatmir Pjetri ka marrë përsipër fajin për organizimin e arratisjes duke shfajësuar Çekajn dhe Çepelen.

Klan News