34-vjeçari shqiptar i ekzektuar të dielën në mes të Athinës nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë greke. Aristidh Papa u qëllua 8 herë ndërkohë që po qëndronte në një kafene. Autori dyshohet se ka qenë një vrasës me pagesë dhe autoritetet janë vënë në kërkim të tij dhe personave që kanë dhënë urdhrin për vrasjen në mënyrë që të zbulojnë se çfarë fshihet pas atentatit mafioz.

34-vjeçari ka qenë shënjestër e atentateve edhe herë të tjera. Por ai i të dielës ishte fatal. Mediat greke kanë zbuluar detaje rreth vrasësit. Siç shkruajnë, bëhet fjalë për një person të shkurtër dhe të dobët. Ai ka patur të veshur një kapele të bardhë, bluzë të kuqe dhe ishte përgatitur për të mos bërë as edhe gabimin më të vogël.

Ai është afruar pa u vënë re në lokalin ku qëndronte shqiptari dhe që ishte mbushur plot me njerëz dhe me qetësi ka goditur në kokë dhe në kraharor 34-vjeçarin Papa. Siç kanë raportuar mediat, vrasësi ka qëlluar 8 herë mbi shqiptarin. Më pas ka dalë i qetë, ka hipur në një taksi dhe është zhdukur.

Hetuesit janë përqendruar tek e shkuara e Aristidh Papës për të zbuluar se çfarë fshihet pas vrasjes. Dyshimet kryesore janë për larje hesapesh. Sipas informacioneve, në fund të Shkurtit ndaj tij ishte kryer një tentativë vrasjeje. Dy persona e qëlluan ndërkohë që ishte në taksi. Atëherë Papa shpëtoi vetëm me një plagë në këmbë.

Sipas të njëjtave informacione, shqiptari ishte tashmë drejtues i një bande kriminale shqiptare. Ky grup kriminal dyshohet se është përfshirë në një konflikt me një tjetër bandë shqiptarësh dhe në vitet 2007-2008 dyshohet se është përfshirë në 12 vrasje dhe 10 tentativa vrasjeje.

Në Shkurt, Aristidh Papa ishte arrestuar nga autoritetet e Athinës pasi qarkullonte me drogë, pistoletë si dhe mbante një jelek antiplumb.  34-vjeçari nga Shqipëria është akuzuar për përfshirje në organizatë kriminale, vjedhje dhe trafik droge. Në 2007 ishte tentativa e parë për ta vrarë.

Banda ku ai bënte pjesë kishte 5 anëtarë, ndërsa ajo kundërshtare 9 të tillë. Shumica e tyre janë të dënuar, ndërkohë ata që nuk janë vënë në pranga sipas mediave greke vazhdojnë “hakmarrjen”.

Pas vrasjes së Papës në vendin e ngjarjes shkoi e ëma e tij. Mediat greke publikuan video të saj duke qarë në trotuar pak metra larg vendit ku iu vra i biri. Ajo thoshte se vrasësit e djalit të saj janë shqiptarë dhe policia e di këtë fakt, por nuk i arreston.

“Ari, ku do ta dëgjoj tani zërin tënd. Ari im… më tha djali që do të dal jashtë…. Ari… Ku është policia? Ku janë vrasësit që vranë fëmijën tim? Nuk i njohin kush janë? I njohin por nuk duan që t’i kapin. Nuk duan t’i kapin… I njohin, i njohin… Shqiptarët e qelbur ma vranë djalin”, shprehej mes lotësh nëna e 34-vjeçarit të ndjerë./tvklan.al