Denis Demiri dhe Ardian Serezi, dy të arrestuarit si autorë të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla, më 14 Shkurt të këtij viti, kanë tentuar të djegin makinën e “BMW”, me të cilën ata lëvizën para dhe pas krimit. Ky automjet u gjet i lyer me benzinë nga policia dy ditë pas vrasjes, në fshatin Picallë të Tiranë.

Ende nuk dihet se përse personat nuk kanë mundur t’i vënë flakën makinës, por burime të policisë thonë se menjëherë pas gjetjes së saj, ekspertët kriminalistë kanë marrë prej saj gjurmë të ndryshme gishtërinjsh, por edhe materiale biologjike. Këto të fundit pritet të krhahasohen nga specialistët e ADN-së dhe të gjurmëve në laboratorët e Institutit të Policisë Shkencore.

Të dhënat paraprake flasin për një konfirmim të gjrumëve të gjetura me ato të dy autorëve. Nga hetimet e policisë dhe prokurorisë, është zbuluar se veç Serezit dhe Demirit, në vrasje ka marrë pjesë edhe një person tjetër që ka luajtur rolin e vëzhguesit të lëvizjeve të Begallës.

Ai është identifikuar dhe po kërkohet nga policia, por identiteti mbahet sekret. Sipas policisë, tre personat kanë qenë në një kafene pranë shehit “Uilson”, ku edhe janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së zonës. Pas sinjalizimit nga personi në kërkim, Serezi dhe Demiri ndoqën nga pas me makinë 63-vjeçarin Begalla. 

Kur ai mbërriti pranë makinës së tij në bllokun e pallateve ku banonte në rrugën “Nikolla Tupe”, autorët e ndoqën në këmbë dhe e qëlluan. Shkak për krimin dyshohet se është përfshirja e palëve në trafikimin e një sasie prej 1 ton marijuanë, drejt Greqisë. Për këtë ngarkesë, Ardian Serezi u arrestua ne vitin 2014 dhe u dënua. Mosmarrëveshjet në lidhje me pagesat e avokatëve dhe viteve të burgut, dyshohet se është një nga shkaqet e vrasjes. Dy autorët u arrestuan nga policia 12 ditë pas krimit.

Tv Klan