E mbajti të fshehtë krimin për disa ditë

Diana Vukaj do të festonte këtë të hënë 58-vjetorin e lindjes, por lajmi për vrasjen e saj nga i vëllai e tronditi lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër. Policia dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur të premten, në kushtet kur 55-vjeçari, Fabian Vukaj, në gjendje të dehur, ka debatuar me të motrën e tij.

Shkak për krimin makabër dyshohet të jetë bërë një shumë parash, pasi 58-vjeçarja kishte porositur mobilje për shtëpinë e pushimit që kishte në Velipojë, ndërsa i vëllai i kërkonte motrës që paratë t’ia jepte atij. Pas kësaj ai ka qëlluar mbi Diana Vukajn me një pistoletë me silenciator duke e lënë atë të vdekur.

Të afërm te familjes telefonuan policinë në orët e vona të së dielës, me shqetësimin se prej 3 ditësh nuk kontaktonin dot me Diana Vukajn, të sapoardhur nga Gjermania.

Pas kësaj uniformat blu iu drejtuan banesës së saj, ku gjetën edhe trupin e pajetë të 58-vjeçares në dhomën e gjumit. Në pranga u vu i vëllai i viktimës, 55-vjeçari Fabian Vukaj, i cili e pranoi krimin.

Tv Klan