Zbulohet edhe “roli” i Kreshnik Tushës, që mbeti i plagosur mbrëmjen e atentatit

Tvklan.al mëson detaje se si grupi hetimor mundi të identifikonte autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Kurbin mbrëmjen e 30 Majit.

Eduart Lamaj alias Leandro Simoni u vu në pranga gjatë një hetimi të përbashkët mes Policisë së Lezhës dhe Policisë së Tiranës, ku u zbulua se  30-vjeçari kishte mbetur i plagosur në këmbë me armë nga shkëmbimi i zjarrit me një prej viktimave.

Foto: Eduart Lamaj

Burime nga grupi hetimor thonë se Eduart Lamaj është dyshuar që në momentet e para si autori i kësaj ngjarje. Për ditë me radhë, agjentët e Lezhës dhe të Tiranës kanë mbajtur nën vëzhgim dhe kanë monitoruar lëvizjet e familjarëve të 30-vjeçarit Lamaj. Ndërkohë që të gjitha veprimet hetimore janë koordinuar nga Departamenti i Policisë Kriminale.

Falë vëzhgimit disa ditor, u mësua se Eduart Lamaj paraqitej rregullisht në një klinikë private në Tiranë për të mjekuar plagën e infektuar në këmbën e majtë, të shkaktuar nga plumbi. Ndërsa mbrëmjen e së hënës u finalizua operacioni “klinika”, duke bërë të mundur arrestimin e 30-vjeçarit dhe të dy mjekëve të cilët mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë. Mjekët Viktor Marku 42 vjeç dhe Besim Lama 46 vjeç akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ata nuk kishin njoftuar policinë që po trajtonin një person të plagosur me armë zjarri.

Po kështu, grupi hetimor ka identifikuar dhe 3 bashkëpunëtorët E Eduart Lamajt. Ata janë shpallur në kërkim, por për shkak të hetimeve që janë në zhvillim, policia nuk bën me dije të tjera detaje.

I arrestuar për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit ishte edhe i riu Kreshnik Tusha, i cili u vu në pranga në momentet e para të ngjarjes. Vetë ai kishte mbetur i plagosur, por kishte mohuar vazhdimisht përfshirjen në ngjarje. Tvklan.al ka mundur të mësojë se Kreshnik Tusha mbeti i plagosur jashtë hotelit ku u vranë dy vetë. Ai u qëllua me armë pranë banesës së tij, nga grupi i atentatorëve të Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit pasi ata dyshuan që Kreshnik Tusha kishte dalë për t’u bërë pritë. Të paktën këto janë edhe pretendimet e të riut, teksa vijon ende puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Nga përplasja me armë mbrëmjen e 30 Majit në Kurbin mbetën të vrarë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. /tvklan.al