Personi që shihni në foto është Agim Hida, 46-vjeçari që mbeti i plagosur mbrëmjen e së enjtes në Bathore, teksa konsumonte një kafe në një lokal në zonë.

Dy persona dyshohet se morën pjesë në këtë ngjarje, të cilët lëviznin me një motor. Sapo janë afruar pranë bar kafes ku qëndronte i plagosuri, njëri prej tyre ka zbritur nga motori dhe e ka qëlluar dy herë në këmbë 46-vjeçarin.

Më pas ata janë larguar, lëvizje të cilat janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonë, që tashmë po analizohen nga hetuesit.

Identifikimi i autorëve duket paksa i vështirë deri në këtë fazë për shkak se ata kanë qenë të maskuar. Edhe vetë i plagosuri mësohet të ketë thënë para hetuesve se nuk ka mundur dot të shquajë personat që hapën zjarr ndaj tij.

Konfliktet e vjetra janë pista kryesore që po verifikon policia dhe prokuroria e Tiranës, kjo pasi vëllai i Agim Hidës ka vrarë disa vite më parë një shtetas italian në zonën e Yzberishtit.

Megjithatë pavarsisht këtyre dyshimeve, grupi hetimor nuk përjashton mundësinë e ndonjë konflikti të vetë të plagosurit, dëshmia e të cilit ende nuk është administruar për shkak se vijon të jetë në kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.

Tv Klan