Nën hetim konfliktet për aktivitete të paligjshme

Shenjat e breshërisë së plumbave në mure janë ajo që ka mbetur në vendin ku mbrëmjen e së premtes u ekzekutua 38-vjeçari Delon Troqe në lagjen Pavarësia të Vlorës. Ekspertët mblodhën rreth 15 gëzhoja të qëlluara nga autorët kur viktima ishte në prani të familjarëve të tij në afërsi të servisit të automjeteve që ai kishte në pronësi.

Hetuesit kanë shoqëruar dhe thirrur në komisariat të paktën 20 persona për tu marrë dëshminë dhe më pas I ka lënë të lirë. Pista ku po hetohet është ajo e konflikteve për shkak të aktiviteteve të paligjshme jashtë vendit.

38-vjeçari sapo ishte kthyer nga Spanja. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamje të kamerave të sigurisë në afërsi të vendit të ngjarjes në përpjekje për të identifikuar autorët. Në këqyrje është marrë edhe makina e tyre me targa të vjedhura e gjetur duke u djegur pas ngjarjes në fshatin Sherishtë në zonën e Kaninës.

Brenda makinës autorët kishin lënë edhe 2 armët kallashnikov që përdorën në krim. Viktima Delon Troqe kishte pasur probleme me drejtësinë edhe në të kaluarën pasi ka qenë i dënuar për çështje droge. Gjatë verës punonte me skaf duke shëtitur turistët në rivierën e jugut.

Kjo është vrasja e dytë që në pak ditë trondit Vlorën pasi në 10 maj u ekzekutua në makinën e tij Bledar Birçaj në një atentat të mirëmenduar ndërsa autorët u zhdukën pa lënë gjurmë.

Tv Klan