Gruaja kishte kërkuar zhvendosjen në azil, burri kundërshtonte

Ky është Fadil Bandulla, burri që vrau bashkëshorten e tij dhe më pas u vetëvra pak ditë më parë në Shkodër. Kërkesa e 83-vjeçares Sanije Bandulla, për të kaluar pjesën e mbetur të jetës në një azil duket se ka qenë shkaku i krimit të rëndë në familjen e tyre që tronditi Shkodrën një ditë më parë.

Por nisja e procedurave për zhvendosjen në një shtëpi të moshuarish duket se ka hasur në kundërshtimin e vazhdueshëm të bashkëshortit të saj, Fadilit 79-vjeçar. Burime nga policia e Shkodrës thanë se konfliktet në çiftin e të moshuarve që jetonte i vetëm pasi fëmijët ishin emigrantë jashtë vendit kishin qenë të vazhdueshme.

Dyshohet se bashkëshorti kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij edhe pak kohë më parë kur ajo u paraqit për ndihmë në Spitalin e Shkodrës. Në dëshminë që ajo u kishte dhënë autoriteteve ishte shprehur se ishte rrëzuar duke e mohuar dhunën në familje. Konfliktet në familje i kanë konfirmuar edhe fqinjët e tyre.

Çifti i të moshuarve u gjet i pajetë mesditën e së mërkurës, por dyshohet se krimi ka ndodhur 3 ditë më parë. 79-vjeçari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me një automatik bashkëshorten dhe më pas është vetëvrarë. Kanë qenë fëmijët që lajmëruan policinë pasi kishin humbur kontaktet me prindërit. Me mbërritjen në banesë uniformat blu kanë gjetur të moshuarit të pajetë.

Tv Klan