Shkak dyshohet u bë një konflikt për motive të dobëta

Një konflikt për motive të dobëta dyshohet se u bë shkak i plagosjes së 45-vjeçarit, Admir Bejo mbrëmjen e së shtunës në Kuçovë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ngjarja ka ardhur pas një zënke të çastit që i plagosuri ka patur me një komshiun e tij tashmë të identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia.

Fillimisht mësohet se mes tyre ka pasur një debat verbal në banesën e autorit, e më pas situata ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit, me të cilën u qëllua 2 herë 45-vjeçari.

Ishin kalimtarët të rastit në lagjen ‘1 Maji’ në Kuçovë që gjetën të gjakosur në rrugë Admir Bejon i cili më pas u transportua në spital ku vijon të marrë ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

45-vjeçari, Bejo nuk është një emër i panjohur për uniformat blu, pasi në 2007 ai dyshohet se së bashku me vëllanë e tij Ilija Bejon, kanë tentuar që të vrasin 2 vëllezërit Ardian dhe Saimir Kundja.

Ngjarja ndodhi, teksa dy vëllezërit Kundja ishin duke dalë nga hyrja e pallatit në të cilin jetonin. Pas të shtënave, dy autorët që menduan se i lanë të vdekur shënjestrat e tyre, u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, por vëllezërit e plagosur u dërguan në spitalin e qytetit dhe mundën të shpëtonin.

Tv Klan