Detaje të reja janë zbardhur për operacionin anti-drogë Shqipëri-Itali.

Gazetarja Glidona Daci raporton se autoritetet shqiptare janë lajmëruar për herë të parë në fillim të vitit 2019 sa i takon këtij aktiviteti kriminal.

Më pas ky grup kriminal është mbajtur nën monitorim dhe është përgjuar për 5 vite. Mësohet se dje janë kontrolluar 31 objekte në disa qytete të vendit ku janë sekuestruar 6 automjete, para e sende të tjera të paligjshme.

“Grupi i trafikimit të lëndëve narkotike drejtohej nga 3 shqiptarë. Lënda narkotike trafikohej nga porti i Durrësit drejt Italisë. Gjatë ditës së djeshme ku u zhvillua mega-operacioni i autoriteteve shqiptare me ato italiane nën koordinimin e Eurojust u bë e mundur të kryeshin kontrolle në disa qytete, Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Që në vitin 2019 kur u arrestua ish-zëvëndës ministrja e Brendshme Rovena Voda sepse ajo ra në rrjetën e përgjimeve të SPAK pasi po përgjohej motra e njëri prej trafikantëve, duke qenë se ajo kërkonte të punësohej si specialiste në Ministrinë e Brendshme.

Ky grup kriminal ka qenë nën monitorim dhe përgjim për të paktën 5 vite , ku sipas autoriteteve italiane ka një sërë provash materiale të sekuestruara. Vetëm në Shqipëri janë sekuestruar armë, shuma parash, 6 automjete dhe sende të tjera të paligjshme gjatë kontrollit të 31 banesave dhe objekteve me urdhër të SPAK. Porti i Durrësit prej vitesh është anatemuar si një nga portet ku futet kontrabandë një sasi e lëndëve narkotike ndërsa kanabisi është vendas, i tregtuar më pas drejt Italisë”, raporton Daci.

Gazetarja bën me dije se deri më tani janë ekzekutuar 15 urdhërarreste në Shqipëri nga 21 masat e dhëna. 6 të tjerët vijojnë të jenë në kërkim.

Nga ky operacion në total janë firmosur 119 urdhërarreste dhe janë ekzekutuar 62 prej tyre. Pasuria financiare e sekuestruar nga policia italiane kap vlerën e 5 mijë eurove./tvklan.al