Policia e Tiranës la të lirë vëllezërit e Agim Dakës, të shoqëruar pas vrasjes së ish –drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Agim Daka u vra me pistoletën e Cukut në zyrën e tij kur ishte shef i komisariatit numër 4 në Tiranë, në vitin 2005.

Por dy vëllezërit Bujar e Florian Daka kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen.

Ata kane patur alibi të forta që në momentin e krimit kanë qenë në Shkodër, në shtëpitë e tyre, duke darkuar.

Para grupit hetimor kanë këmbëngulur se çështja e tyre me ish –drejtuesin e policisë është mbyllur sipas zakoneve kanunore dhe ata nuk kërkonin gjak tek ai.

Bujar Daka ka dalë nga burgu 1 vit më parë, ku ka vuajtur dënimin për grabitje.

Gjakmarrja ishte pista kryesore mbi të cilën po hetonte policia e Tiranës.

Tre ditë pas vrasjes së ish –zyrtarit të lartë të policisë, mbetet e paqartë edhe dinamika e ngjarjes.

Policia dyshon se ai është qëlluar nga një atentator i vetëm, por nuk ka arritur ende të shpjegojë praninë e gëzhojave të dy pistoletave të ndryshme.

Një version është ai që Cuku të ketë qëlluar ndaj atentatorit dy herë, me dy plumba të kalibrit 9 mm.

Ai rezulton të jetë përleshur me të para derës së ashensorit të pallatit ku jetonte.

Ekspertet e kriminalistikës kanë marrë kampione nga duart e tij për të parë nëse ka mbetje të barutit, por përgjigja e analizave shkencore nuk ka mbërritur ende.

Por asnjë nga armët e përdorura nuk është gjetur në vendin e ngjarjes, ç’ka e shton me shumë misterin.

Nuk përjashtohet mundësia që atentatorët të kenë qenë dy dhe që i dyti të ketë ndërhyrë pas përleshjes së Cukut me personin që e priste tek shkallët e pallatit. 

Administratorja dhe disa banorë të pallatit kanë dëshmuar në polici se kanë parë dy persona që flisnin me dialekt verior.

Policia ka gjetur disa rroba pranë ish postës 8, pranë sheshit Uillson dhe po i ekzaminon pasi përkojnë me rrobat e atentatorit, siç e kanë përshkuar atë banorët e pallatit që e kanë parë.

Policia po heton edhe mbi konflikte të tjera të mundshme të Cukut, në kohën që ka kryer funksionin e Drejtorit të Policisë së Vlorës në vitet 20011- 2013 dhe zv/ drejtorit të Policisë së Fierit, në vitet 2007- 2009. 

Tv Klan