I riu shqiptar që vrau babain e dy fëmijëve në Itali, ka kyçur gojën para hetuesve. Mediat italiane kanë publikuar identitetin e tij. Ai është Marsel Disha Romelli 26 vjeç, i cili u konfliktua me bashkëkombasin e tij Arben Kola 32 vjeç. Autori i dyshuar nuk po bashkëpunon me hetuesit, raportojnë mediat italiane, të cilat shkruajnë se i riu nuk ka pranuar që të flasë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Chiari mesnatën e së martës dhe të mërkurës në një lokal. 32-vjeçari Arben Kola, baba i dy fëmijëve, u dhunua për vdekje nga 26-vjeçari Romelli.  Ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda, pasi i ishte shpuar një arterie. Kurse autori Marsel Disha Romelli u arratis pas krimit, por u arrestua disa orë më vonë nga policia italiane.

Autoritetet thonë se dy shqiptarët kishin njohje prej disa kohësh me njëri-tjetrin. Si viktima, ashtu edhe autori, kanë pasur në të kaluarën precedent në lidhje me drogën. Kohët e fundit, viktima Arben Kola ishte një marangoz i papunë, sipas shtypit vendas. Pavarësisht se të dy kishin precedent në fushën e lëndëve narkotike, nuk dihet nëse sherri që i shkaktoi vdekjen 32-vjeçarit të ketë lidhje me këtë pistë. Zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes po e vështirëson edhe heshtja e autorit të dyshuar, Marsel Disha Romelli.

Ky i fundit dyshohet se e ka goditur 32-vjeçarin Kola me një send të fortë në gjoks, gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen. Por policia ende nuk e ka gjetur armën e ftohtë që është përdorur në krim. Hetuesit italianë dyshojnë se 26-vjeçari mund të ketë përdorur një kaçavidë ose një shishe të thyer, por deri më tani kjo mbetet në kuadrin e hipotezës. Po kështu, hetimet vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e sherrit mes dy shqiptarëve, që i morën jetën 32-vjeçarit Arben Kola.

/tvklan.al