Policia arreston një 50-vjeçar nga Fushë-Kruja, në kërkim bashkëpunëtoret

Policia e Durrësit ka arrestuar një 50-vjeçar nga fshati Larushk i Fushë-Krujes që po tentonte të shiste mina me telekomandë. Arben Elezi është ndaluar në Shkafanë të Ishmit dhe gjatë kontrollit iu gjetën 4 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular. Sipas njoftimit të policisë Elezi minat do t’i shiste kundrejt shumës 10 mije Euro.

Pas arrestimit të 50-vjeçarit nga Fushë-Kruja po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

50-vjeçari Elezi, rezulton të jetë emër i njohur për policinë. Sipas burimeve, ai është me precedent penal për disa vepra penale të ndryshme. Elezi rezulton të jetë i proceduar për kultivim të lëndëve narkotike, për armëmbajtje pa leje dhe njëkohësisht edhe për dhunë në familje.

Hetuesit kanë arritur të mësojnë detaje nga aktiviteti i tij për shitjen e minave me telekomandë pas informacioneve në rrugë operative, ndërsa e kanë vëzhguar për disa kohë. Burimet thonë se ka dyshime se minat me telekomandë do t’i shiste po në Durrës, por mbetet i paqartë destinacioni final. Burimet janë të rezervuara kur bëhet fjalë për “blerësit”, pasi hetimet vazhdojnë. Kjo nuk është hera e parë që në territorin e Qarkut të Durrësit dhe kryesisht në Fushë Krujë kapen mina me telekomandë, gati për t’u shitur.

Në muajin Korrik u arrestua një 30-vjeçar me dy mina, të cilat do i shiste kundrejt vlerës prej 6 mijë Euro. Gjatë vitit policia ka zbuluar dhe 5 raste të tjera, duke sekuestruar 12 mina me telekomandë të cilat ishin planifikuar të shiteshin nga 2500 deri në 3 mijë Euro copa. Për këta raste policia ka vënë në pranga 10 persona, të cilët janë kryesisht nga qarku i Durrësit.  

Klan News