Kryeministri Edi Rama ishte në Maminas të Shijakut këtë të martë për të vizituar punën që po bëhet për rindërtimin e banesave pas tërmetit të 26 Nëntorit. Kreu i qeverisë shkoi dhe vizitoi shtëpinë e nënë Besnikes, e cila hyri në shtëpi të re sot.

Mirëpo kreu i qeverisë nuk la pas kritikat. Teksa ndodhej jashtë banesës së re, kryeministri Rama i la porosi ndërtuesve që të mbyllin çdo punë në mënyrë që shtëpia të jetë e plotësuar.

“Ato ullukët nuk lihen që të rrjedhin aty. Duhen përfunduar me rrjedhje siç është projekti. E dyta se unë jam bojaxhi, i mungon një element projektit. Projekti ka një thyerje me ngjyrë. T’i them akoma detajet apo i gjeni vetë”, tha kryeministri.

Në Bashkinë e Shijakut janë mbi 500 shtëpi të reja që janë në ndërtim. Kryeministri Rama ka deklaruar se familjet e tyre do të hyjnë këtë vit të ri brenda banesave të reja. /tvklan.al