Mediat greke raportojnë se negociatat mes ministrave të jashtëm të qeverisë së Athinës dhe Tiranës po shkojnë drejt përmbylljes. Raportohet se Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati gjatë takimit në Rodos kanë përmbyllur detajet e fundit të marrëveshjes mes dy vendeve për sa i përket disa çështjeve, ndër të cilat dhe ajo e ndarjes së hapësirës detare.

“Aleksis Tsipras dhe Edi Rama do të finalizojnë marrëveshjen në një takim privat, përveç nëse ndodh ndonjë ndryshim i paparashikuar në minutat e fundit”

, shkruajnë mediat greke duke saktësuar se data e takimit është 28 dhe 29 qershori gjatë Këshillit të Bashkimit Europian.

Sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, kjo marrëveshje do të hapë rrugën për perspektivën e anëtarësimit të Tiranës në Samitin e BE-së. Në marrëveshje nuk përfshihet çështja çame, por vetëm heqja e ligjit të luftës nga Greqia, ndarja e hapësirës detare, çështja e pronës dhe të gjitha çështjet tjera të hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë. /abcnews.al