Turqia: Greqia kërkon të prodhojë precedentin edhe për ne

Ka qenë Greqia ajo që ka kërkuar që çështja e detit të gjykohet në Hagë. Kështu thonë ekspertë turq që e konsiderojnë këtë vendim si manovër politike nga ana e Athinës për t’i bërë presion Turqisë.

“Kjo është një manovër politike nga ana e Greqisë. Ishte Athina që kërkoi që çështja për detin të shkonte në gjykatën ndërkombëtare dhe Shqipëria e pranoi. Zyrtarët grekë e kanë bërë këtë lëvizje për të përfituar politikisht si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Shkuarja në Hagë e çështjes së Detit Jon është një presion që i bëhet Turqisë për të pranuar zgjerimin me 12 milje edhe në Egje”.

Sipas Profesorit në Univeristetin e Marmarasë, Selami Kuran, Shqipëria nuk kishte rrugë tjetër veçse ta pranonte kërkesën e Greqisë.

“Greqia e ka kërcënuar Shqipërinë me bllokimin e negociatave për në BE dhe Tirana ka qenë e detyruar të pranojë këtë kërkesë së Greqisë. Përdori minoritetin grek për të përfituar në det”.

Megjithatë, Kuran në këtë çështje shikon të avantazhuar Shqipërinë.

“Mendoj se Shqipëria është më e avantazhuar në këtë çështje por duhet të shkojë shumë e përgatitur në gjykatën ndërkombëtare sepse nuk ka asnjë dokument ligjor që mund të përdoret si argument nga Greqia për tezën e saj. Këtë mendim e mbështes në vendimet që ka dhënë deri tani Gjykata në Hagë. Edhe vetë grekët e dinë shumë mirë se nuk kanë argumente ligjorë por megjithatë po e provojnë”.

Ajo që kërkon Greqia të bëjë në Detin Jon duke u zgjeruar me 12 milje dhe që do të shërbejë si precedent edhe për kufrin detar me Turqinë, sipas ekspertëve turq është e pamundur sepse Deti Egje nuk ua jep mundësinë shteteve për t’u zgjeruar me 12 milje. Ndërkohë Turqia e konsideron një veprim të tillë si shkak për luftë.

Klan Plus